Nënat e duan verën, baballarët e duan verën, prandaj nuk është për t’u habitur që edhe bebja juaj - e do verën. Posaçërisht kur e lirë dhe pa pengesa me veshje shtresore mund ta hulumtojë botën përreth saj. Mirëpo, vera për foshnja fsheh edhe probleme të shumta që as për prindërit nuk janë të këndshme. Në vazhdim u sjellim këshillat se si gjatë verës bebes suaj t’i siguroni rehatinë dhe ta zvogëloni imitimin e saj.
Zgjidhni veshje të lehtë pambuku
Kure jemi tek veshja, dilema nuk ka – për ditë të verës zgjidhni gjithmonë veshje të lehtë, pambuku. Shmangeni gjithsesi sintetiken sepse materiali i tillë e ruan nxehtësinë. Fëmijës do t’i vijë nxehtë dhe nuk do të ketë rehati, por ka mundësi të shfaqet edhe kurteshi.
Mos dilni në diell të fortë
Gjatë verës me bebe dilni herët në mëngjes ose para mbrëmjes. Shmanguni ekspozimit në diell prej orës 10 deri në 17. Nëse domosdo duhet të dilni, siguroni fëmijës mbrojtje adekuate. Mbulesa në karrocën e fëmijëve është kryesisht sintetike, ashtu që mbulojeni me plaf pambuku – kështu fëmija do ta ketë më pak nxehtë. Siguroni qarkullimin e ajrit, duke i hequr nga karroca lodrat e plishit dhe ato që janë të varura. Për lojë do të ketë rast në shtëpi.
Çka t’i vishni fëmijës e moshës 0 deri në 3 muaj
Ndonjë veshje e lehtë dhe pambuku është gjithmonë zgjedhja e parë. Për bebet kaq të vogla dhe të ndjeshme rekomandohen mëngë dhe këmbëza gjata nga pambuku i hollë. Për një shkallë më të lartë të rehatisë së bebes suaj, zgjidhni:
- Badi të hollë pambuku me mëngë të gjata
- Pantallona të holla me shputa
- Tutikë (shpirihoze) të hollë pambuku për fëmijë
Pasi që bebja juaj t’i ketë mbushur tre muaj, rekomandohet të zgjidhni veshje të hollë pambuku me mëngë të gjata ose të shkurta dhe me këmbëza. Rekomandohen edhe çorapët e pambukut, përveç kur temperaturat janë jashtëzakonisht të larta. Gjatë verës veni në kokë kapelë të vogël ose kapuç. Le të jenë të pambukut, me mbrojtëse për qafë dhe mbrojtës që i bën hije fytyrës së bebes.
Zgjidhni edhe pelenat e pambukut
Pelenat e lehta të pambukut janë zgjidhje ideale për temperatura të larta. Sot, rëndom, shfrytëzohen ato me përdorimi të njëhershëm, ashtu që kini kujdes dhe zgjidhni mundësisht sa më të holla, me brendësi pambuku. Pa marrë parasysh se cilat pelena i përdorni, e rëndësishme është që t’i ndërroni me rregull. Po qe se shfaqet kurteshi nga pelenat, lëkurën trajtojeni me ujë të vakët ose me tretje fiziologjike. Vendin e kurteshit (skuqjes) tereni duke e prekur me gazë të butë ose e leni të teret në ajër. Sa herë që është e mundur, e leni fëmijën pa pelena.
Larja - vetëm pasdite
Në orët e pasdites ndikimi i dëmshëm i rrezeve të diellit është i zvogëluar. Vetëm atëherë çojeni beben tuja për t’u larë, por gjithherë kini kujdes që plazhi të ketë hije natyrore. Bebja juaj do të kënaqet duke u larë drejtpërdrejt në det ose në pishinë të vogël. Temperatura ideale për larje të fëmijës është ndërmjet 27 – 30 °C. Mos harroni t’ia veni kapelën, e po qe se bebja lahet në pishinë, futeni nën çadër të diellit. Mos harroni – bebja për asnjë çast nuk guxon të jetë pa mbikëqyrje.
Shmanguni larjes në pishina publike
Larja e bebes në pishina publike nuk preferohet. Uji nuk është i pranueshëm në aspektin higjienik për larjen e foshnjave dhe të fëmijëve shumë të vegjël, ndërsa materiet kimike me të cilat trajtohet uji mund të kenë ndikim agresiv në lëkurën e bebes.
Mos harroni hidratimin!
Gjatë verës çdokush kas nevojë për më shumë lëngje, veçmas foshnjat trupi i të cilëve shumë më lehtë i humbë lëngjet dhe mund t’i marrin në sasi shumë më të vogël. Foshnjat nën moshën gjashtë muajsh, e që janë ekskluzivisht në gji, nuk u nevojitet uji, por dhënia më e shpeshtë e gjirit. Bebja juaj me siguri se do të thith më shpesh dhe shkurt, gjë që duhet ta respektoni. Po qe se fëmija ushqehet përgatitje qumështi për foshnje, i ofroni rregullisht ujë të vluar dhe të ftohur në temperaturë të dhomës. Për foshnjat në ushqim shtesë lëngu kryesor le të jetë gjithmonë uji, por nuk do të gaboni as me çaj të ftohur frutash ose me lëng të freskët të kulluar.
Kini kujdes ndaj prishjes së ushqimit
Gjatë verës ushqimi prishet më lehtë dhe kur kemi të bëjmë me foshnjat në ushqim shtesë, kini kujdes në rregullsinë e ushqimit. Poqe se keni mundësi, ushqimin dhe ujin e përgatitni dhe i merrni nga shtëpia, ndërsa shmanguni ushqimit që shitet në rrugë (kokoshka, akullore, palapetë....).
Mbrojeni lëkurën e fëmijës
Përdorni ekskluzivisht krem të lehtë hidratant i paraparë për foshnja dhe fëmijë të vegjël. Çdo herë mbroni fëmijët para daljes në diell. Në rast ta shfaqjes së kurteshit, trajtojeni lëkurën me ujë të vakët ose me tretje fiziologjike. Vendin e kurteshit (skuqjes) tereni duke e prekur me gazë të butë ose e leni të teret në diell. Këshillohuni me pediatrin ose me motrën e patronazhit për përdorimin e yndyrave dhe kremit.
Ajrosni hapësirën ku qëndron fëmija
Hapësira në të cilën bebja juaj e kalon verën duhet të jetë e ajrosur. Nuk do të duhej të kishte tepih të trashë, për shkak të mbledhjes së pluhurit dhe tenjës. Po qe se hapësira është e klimatizuar, kini kujdes që temperatura të mos jetë më e ulët se 3 deri në 5 °C nga temperatura e jashtme. Mos e ekspozoni beben drejtpërdrejt në rrymimin e ajrit.
Mbroni fëmijët nga mushkonjat
Rrjeti kundër insekteve është mbrojtje ideale kundër mushkonjave. Shmanguni mjeteve kimike dhe tabletave kundër mushkonjave. Preferoheni më shumë të përdorni vajin natyral eterik të barit të limonit, citronellë dhe livandë. Para përdorimit të kremit dhe spërkatëseve kundër mushkonjave, gjithsesi konsultojeni mjekun.
PESË KËSHILLAT MË TË RËNDËSISHME PËR MUAJT E VERËS
- Veshja e fëmijës duhet të jetë e lehtë dhe nga pambuku
- Gjithsesi i ofroni lëngje fëmijës
- Sigurohuni për rregullsinë e ushqimit
- Shmanguni ekspozimit në diell prej orës 10 deri në 17
- Mbrojeni lëkurën e fëmijës nga ndikimi i dëmshëm i diellit